Hetimi për vdekjen e Mikel Rrokut, shqiptarit 55-vjeçar që u gjet pa jetë në banesën e tij në Torino të Italisë, ka nxjerrë në dritë detaje të reja. Sipas hetuesve, gruaja e tij dhe partneri i saj i ri dyshohet se e planifikuan dhe e kryen vrasjen, me qëllim që të ishin të lirë për lidhjen e tyre dhe për të përfituar banesën sociale ku jetonte ai.
Të dyshuarit, një grua 45-vjeçare dhe një burrë 52-vjeçar, u arrestuan herët në mëngjesin e 6 tetorit nga Karabinierët e Komandës Provinciale të Torinos. Aktualisht ata ndodhen në burg, nën masën e sigurisë të caktuar ndaj tyre.
Plani që nisi në maj
Hetimet sugjerojnë se ideja për ta eliminuar 55-vjeçarin kishte nisur që në maj. Çifti dyshohet se kishte shqyrtuar disa mënyra, mes tyre helmimin dhe përdorimin e thikës, përpara se të vendoste se si do të vepronte.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, krimi ndodhi më 30 qershor në apartamentin e Rrokut në rrugën Verolengo, në lagjen Lucento. Ai u sulmua nga pas dhe u godit sërish pasi kishte rënë përtokë. Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi dëmtime të rënda në kokë, të shkaktuara nga një objekt i fortë.
Trupi u zbulua vetëm më 6 korrik, gjashtë ditë më vonë, në gjendje të avancuar dekompozimi, në katin e dytë të një pallati social. Ishin fqinjët ata që lajmëruan autoritetet për shkak të erës së rëndë. Fillimisht shkaku i vdekjes nuk ishte i qartë, por plagët në kokë e drejtuan hetimin te vrasja. Çështja u mor nga Njësia Hetimore e Karabinierëve, nën koordinimin e Prokurorisë së Torinos.
Dyshimet u forcuan edhe nga sjellja e çiftit pas ngjarjes. Sipas hetuesve, ata kishin kërkuar informacion për t’u larguar nga Italia drejt Amerikës së Veriut, përfshirë vende pa marrëveshje ekstradimi me Italinë. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rolin e saktë të secilit.
