Monika Lubonja, gruaja që u shfaq në videot e publikuara me Adi Hilën, ka reaguar për herë të parë publikisht. Në një deklaratë të gjatë, ajo thotë se nuk ka qenë në dijeni që po filmohej dhe se nuk ka dhënë kurrë pëlqimin që këto pamje të shpërndaheshin.
Lubonja e nis mesazhin duke e përshkruar veten si një grua së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia, por që është e vendosur të mbrojë dinjitetin dhe të drejtat e saj. Ajo kërkon që të ndalet ajo që e quan baltosje e saj në emër të një “morali kolektiv”.
Sipas saj, dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zbehet nga tradhtia e dikujt të cilit i kushtoi disa vite të jetës. “Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale int*ime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen”, shkruan ajo. “Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë.” Lubonja shton se e dhemb fakti që besimi i saj u kthye në armë kundër saj.
Thirrje për mediat dhe publikun
Në deklaratë, ajo u kërkon mediave të respektojnë privatësinë e saj dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me materialet int*ime. Opinionit publik i kërkon të mos e kthejë dhimbjen e saj në argëtim dhe të mos e gjykojë për besimin që i dha një njeriu që, sipas fjalëve të saj, doli i pabesë.
Lubonja bën të ditur se i është drejtuar drejtësisë dhe se do ta ndjekë çështjen ligjërisht deri në fund, e bindur se e vërteta do të flasë. Ajo e mbyll mesazhin me një lutje: kërkon forcë nga Zoti që kjo plagë të mos ia mbushë zemrën me urrejtje, ndërsa pret që drejtësia të bëjë punën e saj.
