Tuneli i Krrabës do t’i nënshtrohet kufizimeve të përkohshme të qarkullimit duke nisur nga e mërkura, 7 tetor, për një periudhë që mund të zgjasë deri në 20 ditë.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, në tunel do të kryhen punime për pastrimin e mureve dhe pajisjeve.
Punimet do të zhvillohen në tubin e drejtimit Elbasan–Tiranë, ndërsa tubi Tiranë–Elbasan do të përdoret për qarkullimin e automjeteve në të dyja drejtimet.
Gjatë intervalit 06:00–21:00, qarkullimi do të vijojë normalisht me të dy tubat në funksion. Ndërsa gjatë natës, nga 21:00 deri në 06:00, lëvizja do të menaxhohet me një tub të vetëm, me qarkullim në të dyja drejtimet.
Për të garantuar sigurinë e drejtuesve të mjeteve dhe menaxhimin e trafikut, në zonë do të jetë e pranishme Policia Rrugore gjatë orëve të natës.
Drejtuesit e mjeteve që do të kalojnë në këtë aks këshillohen të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë gjatë periudhës së punimeve.
