Një moment i tensionuar është regjistruar gjatë protestës para objektit të Kuvendit të Kosovës, ku deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, është përballur me protestuesit teksa po tentonte të largohej nga ndërtesa.
Sipas pamjeve, deputeti ka tentuar të dalë nga ambientet e Kuvendit, por është ndaluar nga protestuesit që ndodheshin jashtë. Ata i kanë bllokuar rrugën dhe, pas përplasjes së momentit, e kanë shtyrë drejt hyrjes së Kuvendit, duke e detyruar të rikthehet brenda objektit.
Protestuesit kanë kërkuar që deputetët të mos largohen nga Kuvendi pa u votuar ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Situata është shoqëruar me tensione, ndërsa protestuesit kanë vijuar të qëndrojnë para Kuvendit duke bërë thirrje që procesi i votimit të përfundojë dhe ndryshimet në ligj të kalojnë edhe në fazat e tjera të procedurës parlamentare.
Ngjarja është filmuar nga të pranishmit dhe pamjet e momentit, ku deputeti përballet me protestuesit teksa tenton të largohet, po qarkullojnë në rrjetet sociale.
Protesta vijon para Kuvendit, ndërsa situata mbetet e tensionuar.
