Fillimi i sezonit të ri të “Portokalli” ka shkaktuar debate të shumta në rrjet, pas një pjese humoristike me protestues, pankarta dhe batuta që disa e interpretuan si ironi ndaj protestës qytetare që po zhvillohet në Tiranë.
Pas kritikave të shumta, aktori Irgen Çela ka reaguar përmes një video-mesazhi, duke sqaruar se qëllimi i skeçit nuk ishte të tallej me qytetarët që protestojnë, por me persona që, sipas tij, e përdorin protestën për vëmendje personale apo për të rritur ndjekësit në rrjetet sociale.
“Pjesa e djeshme në ‘Portokalli’ ishte për ata njerëz që dalin për të rritur numrin e followersave në Instagram, jo për ata që kërkojnë shërbime më të mira!”, u shpreh Çela.
Por sqarimi i tij nuk i ka mbyllur polemikat. Përkundrazi, reagimi i Florjan Binajt ka ndezur sërish debatin.
Ish-partneri i Çelës në skenë, me të cilin publiku është mësuar prej vitesh në rolin e “dy policëve”, Binaj ka reaguar publikisht duke shprehur keqardhjen e tij për mënyrën se si u trajtua protesta në skeç.
“Do duhej të ishte ashtu siç the, vëllai im, por ishte tërësisht e kundërta. Ndjeva shumë keqardhje”, shkruan Binaj.
Reagimi i tij ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin: ishte thjesht humor apo një ironizim i protestës?
