Familja e Erkan Nikës, inxhinierit shqiptar 28 vjeç që punonte në një anije turke të sulmuar me dronë në Detin e Zi, i ka bërë thirrje shtetit shqiptar që të përfshihet në kërkimet për ta gjetur. Erkani punonte si inxhinier i dytë në bordin e anijes së mallrave Aroyat.
Babai i tij, Rexh Nika, në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, rrëfeu se anija ishte nisur nga porti i Durrësit me 16 anëtarë në bord. Sulmi ndodhi më 27 shtator pranë portit Novorossiysk dhe sipas familjes, u shpëtuan 15 anëtarë të ekuipazhit. I vetmi që mungon në listë është Erkani.
Mesazhi i fundit: “Jemi në Detin e Zi”
Familja Nika jeton në Turqi që nga viti 1997, ndërsa Erkani punonte prej vitesh në këtë anije. I ati kujton se kontaktin e fundit me të birin e pati ditën e mërkurë, më 23 shtator. “Në darkë para se të flija, i kam bërë mesazh, një lutje. Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, tregoi ai.
Rexh Nika ka kërkuar ndihmë edhe nga autoritetet turke dhe nga institucionet e vendeve rreth Detit të Zi. “U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare”, u shpreh ai.
Babai i 28-vjeçarit e mbylli apelin me një kërkesë të drejtpërdrejtë: “Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë.” Familja vazhdon të presë lajme për fatin e Erkanit, ndërsa zhdukja e tij mbetet ende e pashpjeguar.
