HomeLajmeIsh-drejtori i Policisë plas deklaratën BOMBË: “Informacioni sekret përfundonte te grupet kriminale”

Ish-drejtori i Policisë plas deklaratën BOMBË: “Informacioni sekret përfundonte te grupet kriminale”

Një deklaratë e fortë ka tronditur debatin publik mbi funksionimin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe mënyrën se si është administruar informacioni sekret.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, duke folur në një emision televiziv, ngriti akuza të rënda për rrjedhje të informacionit sensitiv dhe pretendoi se të dhëna të mbledhura nga SHISH mund të kenë përfunduar në duart e personave të lidhur me botën e krimit.

Prençi tha se prej kohësh kishte pasur informacion se drejtimi i shërbimit ishte, sipas tij, nën ndikimin e grupeve kriminale.

“E kisha si informacion se koka e Shërbimit Informativ të Shtetit ishte marrë peng nga krimi i organizuar”, deklaroi Prençi.

Më tej, ai pretendoi se kishte marrë informacion nga oficerë të SHISH-it se brenda strukturës ekzistonte frika për dërgimin e informacionit sensitiv.

“Kanë thënë që tashmë në SHISH nuk mund të dërgosh informacion, pasi rrjedhin dhe shkojnë në adresë të krimit”, u shpreh ai.

Në deklaratat e tij, Prençi iu referua edhe ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe pretendimeve të bëra publike për kontaktet e saj me biznesmenin në arrati Ergys Agasi.

Sipas Prençit, kjo qasje mund të ketë qenë e lidhur me interesin për të mësuar se çfarë informacioni kishte shteti mbi aktivitetet e personave apo grupeve të caktuara.

“Qasja ishte strategjike përmes fuqisë që i ka dhënë kryeministri. Marrja e informacioneve nga Agasi dhe të tjerët, përdorimi i tyre, dhe për t’u mbrojtur është pushtet”, pretendoi ai.

Ish-drejtuesi i Policisë ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e komunikimit të informacionit sekret dhe përgjegjësitë institucionale, duke pretenduar se situata kishte dëmtuar rëndë funksionimin dhe besueshmërinë e shërbimit.

Në përfundim, Prençi e përshkroi situatën me një deklaratë të fortë:

“Tani nuk punohet më për Shërbim, pasi është në interes të grupeve kriminale. S’kam më shërbim!”

Pretendimet e bëra në emision janë akuza të Prençit dhe kërkojnë verifikim nga institucionet përkatëse.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments