HomeLajmeEkskursioni në Berat dhe nata që parapriu tragjedinë/ Zbardhen dëshmitë nga dosja...

Ekskursioni në Berat dhe nata që parapriu tragjedinë/ Zbardhen dëshmitë nga dosja për Xhuana Nikollajn

Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për vdekjen e Xhuana Nikollajt, e cila më 10 mars 2026 konsumoi fostoksinë dhe humbi jetën në QSUT.

Për ngjarjen, ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe po hetohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. Hetimi është ende në vijim dhe përgjegjësia penale do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.

Sipas dëshmive të përfshira në dosjen hetimore, konflikti mes dy të rinjve lidhet me një ekskursion të organizuar nga shkolla ku punonte Xhuana, më 7 dhe 8 mars në Berat.

Shoqja e saj e dhomës, Aurela Hasanaj, ka deklaruar se gjatë ekskursionit Xhuana kishte shprehur dyshime se Eraldo po e ndiqte. Sipas saj, gjatë qëndrimit në hotel, Xhuana i kishte treguar se Eraldo po i dërgonte mesazhe dhe e kishte pyetur nëse ai po përpiqej ta provokonte apo nëse e kishte ndjekur realisht.

Një ditë më vonë, më 9 mars, Eraldo kontaktoi Aurelën dhe i kërkoi të takohej me të dhe Xhuanën për të diskutuar atë që kishte ndodhur. Takimi u zhvillua rreth orës 20:30, pranë banesës ku jetonin me qira dy vajzat.

Pas bisedës, Aurela u largua, ndërsa Xhuana qëndroi me Eraldon.

Sipas dëshmisë së Aurelës, rreth orës 03:10 të 10 marsit, Eraldo e telefonoi dhe i kërkoi t’i hapte derën e godinës, duke i thënë se Xhuana nuk kishte çelës. Në atë moment, sipas saj, ai i tha: “Kujdesu për të”.

Kur Xhuana u kthye në banesë, Aurela deklaron se vuri re shenja në fytyrë, pranë syve dhe në duar. Xhuana nuk i tregoi se çfarë kishte ndodhur dhe i kërkoi shoqes të mos shqetësonte askënd.

Mesazhet e orëve të para të mëngjesit

Rreth orës 03:30, Xhuana kontaktoi motrën e saj, Klodina Nikollajn. Sipas dëshmisë së saj, Xhuana i tregoi se ishte marrë nga Eraldo me makinë dhe ishte dërguar në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin.

Në komunikimet me motrën, Xhuana pretendonte se ishte dhunuar dhe se ishte goditur me grushte dhe shuplaka. Ajo i shkruante gjithashtu se nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe se nuk mund ta përballonte më situatën.

Në një prej mesazheve, sipas dosjes, ajo shkruante: “Kam duru boll, smunem ma.”

Xhuana i dërgoi motrës edhe një fotografi ku, sipas dëshmisë së saj, dukeshin shenja në fytyrë.

Klodina deklaron se e kishte këshilluar të motrën të drejtohej në polici, ndërsa Xhuana kishte shprehur shqetësim për të atin dhe frikë se Eraldo mund t’i bënte diçka.

Mëngjesin e 10 marsit, familjarët humbën kontaktin me Xhuanën. Rreth orës 09:07, sipas të dhënave të përfshira në dosje, ajo njoftoi se kishte konsumuar fostoksinë.

Policia u vu në dijeni dhe Xhuana u transportua në QSUT për ndihmë mjekësore. Pavarësisht ndërhyrjes, ajo nuk arriti të mbijetojë.

Dëshmitë për marrëdhënien pas ndarjes

Në dosje është përfshirë edhe dëshmia e motrës tjetër, Silvana Kaleshi. Ajo ka deklaruar se Xhuana dhe Eraldo ishin ndarë gjatë vitit 2025.

Pas ndarjes, Xhuana ishte zhvendosur në Tiranë, ku kishte nisur një jetë dhe punë të re. Sipas dëshmisë së Silvanës, Eraldo vazhdonte ta kontaktonte dhe i dërgonte mesazhe e video, duke i thënë se do të vetëflijohej nëse ajo nuk rikthehej në marrëdhënie me të.

Prokuroria ka administruar gjatë hetimit dëshmi të familjarëve dhe shoqes së Xhuanës, si dhe pamje të kamerave të sigurisë, komunikime telefonike dhe materiale të tjera të sekuestruara.

Sipas dosjes, pamjet filmike janë përdorur për të verifikuar lëvizjet dhe oraret e natës së 9 marsit.

Gjykata ka vlerësuar se, në këtë fazë të hetimit, provat e administruara krijojnë dyshim të arsyeshëm për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe ka caktuar ndaj Eraldo Fizi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me ngjarjen.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments