Pas disa ditësh me mot të qëndrueshëm dhe temperatura të këndshme, duket se moti do të nisë të ndryshojë. Meteorologu i MeteoAlb, Hakil Osmani, ka bërë parashikimin për fundjavën dhe ditët e para të muajit tetor, duke treguar edhe se kur priten episodet e reshjeve.
Sipas Osmanit, kjo fundjavë do të jetë kryesisht e qëndrueshme, me intervale të gjata me diell në pjesën më të madhe të vendit. Temperaturat do të shënojnë rritje gjatë ditës, ndërsa në orët e mëngjesit do të vijojë të jetë më freskët, sidomos në zonat malore.
Në zonat malore, temperaturat minimale pritet të luhaten rreth 8–9°C, ndërsa në Ultësirën Perëndimore temperaturat e mëngjesit do të variojnë nga 13 deri në 17–18°C, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare.
Gjatë mesditës, temperaturat do të rriten ndjeshëm, duke arritur në 27–28°C. Sipas meteorologut, edhe zona bregdetare do të jetë një alternativë e mirë për ata që duan të shijojnë fundjavën, pasi nga rreth ora 10:00 deri në 15:00–16:00 temperaturat do të jenë mjaft komode.
Në përgjithësi, tetori nis me temperatura pranë ose mbi vlerat normale, ndërsa 15-ditëshi i parë pritet të dominohet nga ditë me diell dhe mot relativisht i ngrohtë.
Megjithatë, duket se ndryshimi i parë i rëndësishëm mund të vijë fundjavën e ardhshme.
Osmani tha se ka sinjale për një ose dy episode me shtim të vranësirave dhe reshje shiu, ndërsa një prej këtyre episodeve pritet pikërisht në fundjavën e javës së ardhshme, ku mund të ketë edhe rrebeshe shiu në disa zona.
Pra, ndërsa ditët në vijim pritet të mbeten kryesisht të qeta dhe me diell, java e ardhshme mund të sjellë kthesën e parë të motit, me shtim të vranësirave dhe reshjeve.
Pjesa më e madhe e 15-ditëshit të parë të tetorit, megjithatë, pritet të karakterizohet nga temperatura më të larta se normalja dhe më shumë ditë me diell.
