Gazetari Elton Tozaj ka paralajmëruar se së shpejti do të nxjerrë publikisht fotografi që, sipas tij, lidhen me një deputet të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë. Deklarata erdhi përmes një videoje të shpërndarë në TikTok, ku Tozaj nuk e bëri të ditur emrin e ligjvënësit.
Sipas gazetarit, deputeti në fjalë ka dërguar një numër shumë të madh fotografish, aq sa, siç pretendon ai, ia kalon të gjithë personazheve të tjerë që ai ka përmendur deri më tani. Tozaj e paraqiti rastin si një nga më spektakolarët dhe e përshkroi deputetin si dikë që “ka bërë namin”.
“Duhet të keni diçka parasysh, Kosova ka një deputet i cili ka rënë viktimë në mënyrën më spektakolare, se ai ka dërguar më shumë foto se të gjithë këta që i përmenda këtu bashkë”, u shpreh ai në video.
“Big Brother-i politik”
Gazetari la të kuptohet se publikimi nuk do të vijë menjëherë. Sipas tij, fillimisht do të mbyllen rastet që janë aktualisht në qendër të vëmendjes, dhe më pas do të nisë ajo që ai e quajti “Big Brother-i politik”. Ai paralajmëroi se publiku do të mbetet i habitur, pasi disa persona që sot shihen si idhuj, sipas fjalëve të tij, do të dalin si “njerëzit më të pisët” që janë parë ndonjëherë.
Tozaj nuk ka dhënë detaje të tjera mbi identitetin e deputetit, as mbi kohën e saktë kur pretendon se do t’i bëjë publike fotografitë.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur gazetari ndodhet prej ditësh në qendër të vëmendjes për një seri publikimesh dhe deklaratash për figura të njohura publike, të cilat kanë ndezur debat të gjerë në rrjetet sociale. Gjatë së njëjtës ditë, Tozaj kishte bërë edhe një deklaratë publike për këngëtarin Luiz Ejlli, të cilin e falënderoi si të vetmin person që i qëndroi pranë në një nga ditët më të vështira të jetës së tij.
