Automjetet që vijnë nga veriu drejt Tiranës pritet të lidhen drejtpërdrejt me Unazën e Madhe përmes një aksi të ri, pa kaluar nëpër qendrën e Kamzës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e kësaj lidhjeje, me fond limit 138.6 milionë lekë, pa TVSH.
Kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë ofertat deri më 11 nëntor. Procedura përfshin studimin dhe përgatitjen e projektit, ndërsa kostoja e ndërtimit do të llogaritet gjatë këtij procesi.
Sipas termave të referencës, rruga do të jetë rreth 17 kilometra e gjatë. Ajo nis në pjesën jugore të nyjes së Rinasit, në lidhje me autostradën Thumanë-Kashar, dhe përfundon në Unazën e Madhe të Tiranës, në zonën e Paskuqanit.
Gjurma që do të studiohet kalon nëpër zonat e Valiasit dhe Zallherrit dhe pret rrugën Kamëz-Fushë-Krujë. Përveç lehtësimit të hyrjes në kryeqytet, lidhja synon që automjetet të vijojnë udhëtimin drejt autostradës Tiranë-Elbasan dhe Korridorit VIII.
Aksi do të projektohet si rrugë ndërurbane kryesore. Kompania konsulente duhet të shqyrtojë të paktën dy variante, ku njëri duhet të shfrytëzojë rrugë ekzistuese, duke respektuar parametrat teknikë të kërkuar.
Studimi do të përcaktojë gjurmën përfundimtare, nyjet lidhëse dhe rrugët dytësore për zonat e banuara. Dokumentet kërkojnë edhe mbikalime për këmbësorët, ndriçim pranë nyjeve dhe zonave të banuara, si dhe elementet e sigurisë rrugore.
Pjesë e projektimit do të jetë edhe identifikimi i pronave që preken nga aksi, llogaritja e shpronësimeve dhe përcaktimi i kostos së ndërtimit.
