Protesta e studentëve në Durrës është kthyer në përplasje me policinë. Sipas raportimeve të deritanishme, pesë efektivë policie kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital, ndërsa mbi dhjetë persona janë shoqëruar nga forcat e rendit.
Protestuesit u mblodhën fillimisht para Bashkisë së Durrësit, ku hodhën vezë drejt godinës. Tensionet u rritën më pas pranë Postës Shqiptare, ku ndodhën përplasjet e para mes të rinjve dhe efektivëve. Gjatë protestës janë dëmtuar ambientet e Postës, si dhe disa biznese private, ku janë shkaktuar dëme materiale.
Gurë dhe pllaka drejt policisë
Protestuesit kanë hedhur gurë dhe pllaka trotuari në drejtim të efektivëve. Për shkak të kësaj, policia ka ngritur barrikada rreth 50 metra larg godinës së saj, për të mbajtur turmën në distancë. Protesta vijon ende dhe numri i të shoqëruarve mund të ndryshojë.
Durrësi nuk është i vetmi qytet ku protesta e studentëve është shoqëruar me tensione. Edhe në Elbasan, ku gjimnazistët bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë, tubimi u mbyll pas disa orësh përplasjesh. Në Korçë protesta zgjati rreth pesë orë dhe mbi 20 të rinj u shoqëruan, ndërsa në Shkodër komandanti i forcave të rendit u godit me gur në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Protestat e studentëve, të cilat nisën në Tiranë para Ministrisë së Arsimit, janë përhapur gjatë ditëve të fundit në disa qytete të vendit. Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deri tani janë plagosur gjithsej 71 efektivë policie gjatë protestave.
