Një vajzë ka mbetur e plagosur në kokë gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, pasditen e së enjtes. Për shkak të gjakderdhjes së madhe, ajo u dërgua me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas gazetarëve të Euronews Albania që ndodheshin në vendngjarje, dyshohet se vajza u godit nga një bombol gazi lotsjellës e hedhur nga policia. Shkaku i plagosjes nuk është konfirmuar ende zyrtarisht dhe nuk ka informacion të saktë për gjendjen e saj shëndetësore.
Në raportimet e para nga vendi i ngjarjes, vajza shihej e shtrirë në tokë, e gjakosur, ndërsa disa protestues i jepnin ndihmën e parë në pritje të ambulancës.
Gaz lotsjellës pranë Xhamisë së Namazgjasë
Përplasjet në Rrugën e Elbasanit nisën pasi protestuesit u zhvendosën në këtë aks. Policia ngriti një bllokadë të fortë në kryqëzimin pranë Xhamisë së Namazgjasë, për të mos lejuar turmën të shkonte drejt godinës së Kuvendit. Forcat e rendit përdorën sasi të mëdha gazi lotsjellës, gjë që krijoi panik mes qytetarëve të pranishëm, ndërsa në zonë u raportua edhe djegia e një kioske.
E enjtja shënoi ditën e tretë të protestave të dhunshme në kryeqytet. Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deri tani janë plagosur 71 efektivë policie, ndërsa përplasje dhe të shoqëruar janë raportuar edhe në Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër. Ambasada e SHBA-së dhe Delegacioni i BE-së kanë dënuar dhunën dhe u kanë bërë thirrje palëve për qetësi.
