Një nga skeçet e fundit të “Portokalli” ka shkaktuar diskutime dhe reagime në rrjet, pasi disa prej personazheve të sjellë në skenë u lidhën me protestën e zhvilluar së fundmi.
Pas kritikave, Agron Llakaj ka reaguar publikisht duke sqaruar se qëllimi i humorit nuk ishte të godiste protestën apo qytetarët që morën pjesë në të.
Në një prononcim për Top Channel, Llakaj tha se skeçi u bazua te personazhe dhe situata që ishin bërë virale gjatë protestës dhe në rrjetet sociale.
Sipas tij, satira kishte në fokus mënyrën se si disa momente të protestës u kthyen në meme dhe jo mesazhin apo kauzën e saj.
“Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe”, u shpreh aktori.
Llakaj theksoi gjithashtu se “Portokalli” ka trajtuar ndër vite si mazhorancën, ashtu edhe opozitën, duke e cilësuar satirën si një pasqyrim humoristik të fenomeneve politike e sociale.
Në fund, aktori iu drejtua edhe kritikëve të skeçit me një mesazh të qartë:
“Qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës.”
Reagimi i tij vjen në një moment kur skeçi ka hapur debat në rrjet, me disa persona që e kanë parë si humor ndaj protestës, ndërsa Llakaj këmbëngul se synimi ishte satira ndaj situatave dhe personazheve virale, jo kundër protestuesve.
