Videot intime të kompozitorit Adrian Hila vazhdojnë të shfaqen në rrjetet sociale, herë pas here duke zbuluar edhe persona të rinj, të filmuar pa dijeninë e tyre në momente intime. Rasti më i fundit është ai i një djali të ri, por gazetarja Fatjona Mejdini thotë se kjo çështje nuk duhet parë më vetëm në aspektin moral.
Sipas raportimit, djali në fjalë dikur ka performuar para Adrian Hilës në një spektakël për fëmijë. Kjo ngre dyshime se Hila ka pasur në dorë ta ndihmonte atë, e ndoshta edhe të tjerë, që të avanconin në karrierën muzikore. Mejdini u bën thirrje personave të tjerë që mund të kenë pasur raste të ngjashme t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë dhe të marrin guximin ta denoncojnë.
Mesazhi i gazetares
Sipas Mejdinit, deri tani çështja e Hilës dukej e parëndësishme për t’u komentuar në aspektin moral, pasi personat e përfshirë ishin të rritur dhe kishin zgjedhur me konsensus një marrëdhënie intime. Sot, thotë ajo, çështja ka marrë një kthesë krejt tjetër.
Në një video shfaqet një djalë i ri, i cili disa vite më parë, kur ishte fëmijë, performonte përballë tij, ndërsa Hila, në kuadër të një programi televiziv, kishte në dorë mundësinë për të ndikuar në avancimin e tij në karrierë. Gazetarja thotë se kjo rrethanë ngre pikëpyetje serioze nëse Hila mund të ketë abuzuar me pozitën e tij dhe me marrëdhënien e pushtetit, sidomos ndaj një të mituri. Po aq shqetësuese, sipas saj, është mundësia që ky të mos ketë qenë një rast i izoluar, por pjesë e një sjelljeje sistematike.
Mejdini thekson se këto janë çështje që duhen hetuar dhe provuar, jo paragjykuar paraprakisht. Por nëse ka persona të tjerë që kanë qenë të mitur në kohën kur mund të kenë ndodhur raste të tilla, ata duhet t’u drejtohen me guxim institucioneve të drejtësisë, që faktet të hetohen dhe autori të përballet me ligjin.
“Turpi nuk duhet t’i ndalojë të flasin. Ai nuk u përket atyre, por njerëzve që përdorin autoritetin apo pushtetin për të abuzuar me ata që janë më të dobët dhe më të pambrojtur”, shkruan ajo.
