HomeLajmeÇifti nga Kukësi bëhen prindër për herë të 10-të, babai: Kemi vështirësi,...

Çifti nga Kukësi bëhen prindër për herë të 10-të, babai: Kemi vështirësi, por ia dalim

Ervini dhe Fatmira, një çift 36-vjeçar me origjinë nga Kukësi, janë bërë prindër për herë të dhjetë. Fatmira lindi fëmijën e tyre të dhjetë vetëm pesë ditë më parë. Familja jeton në Kamzë, në Tiranë.

Çifti u ftua në emisionin “Mes’Dritë” në Vizion Plus, të moderuar nga Alma Çelaj, ku foli për jetën me një familje kaq të madhe, për vështirësitë ekonomike dhe për lindjen e fundit.

Një familje e madhe, e dëshiruar që në fillim

Fatmira tregoi se ajo dhe bashkëshorti e kishin dashur që në fillim një familje të madhe. Për lindjen e fundit, ajo pranoi se kaloi disa vështirësi shëndetësore. “Kisha probleme me tensionin”, tha ajo.

Ervini rrëfeu se vetë vjen nga një familje me dy fëmijë. “Ne jemi dy fëmijë në familje, por kemi ardhur pas 11 vitesh martesë. Vëllai ka katër fëmijë”, tha ai. Sipas tij, numri i fëmijëve nuk ka qenë çështje planifikimi të rreptë: “Fëmija është e ardhmja, e di ai lart.” Fatmira u shpreh se ndan të njëjtin mendim me bashkëshortin.

Puna dhe përditshmëria

Jeta me dhjetë fëmijë nuk është e lehtë, sidomos nga ana financiare. Ervini punon pa kontratë dhe merr çdo punë që i del për të mbajtur familjen. “Punoj në të zezë, ku të dalë. Kjo e bën pak të vështirë, por ia dalim”, tha ai.

Fatmira qëndron në shtëpi dhe kujdeset për fëmijët. “Ka ditë të vështira, por ka dhe të mira. Ne e kalojmë me pak gjëra të vogla”, shtoi Ervini.

Në fund të bisedës, prindërit uruan që fëmijët të kenë shëndet dhe sukses në shkollë. Për Fatmirën, dëshira më e madhe është që ata të arsimohen dhe të bëhen të pavarur. “Vetëm shkollën, të mësojnë sa më shumë që të bëhen për vete”, tha ajo.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments