Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka publikuar të dhëna, dokumente, regjistrime audio dhe pamje që, sipas emisionit, faktojnë kërcënime dhe presione ndaj Mirzeta Kashnicës, punonjëse në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas “Fiks Fare”, bëhet fjalë për një situatë të vazhdueshme presioni, për të cilën emisioni thotë se ka siguruar edhe dosje hetimore dhe dëshmi të familjarëve të punonjëses.
Pas publikimit të këtyre fakteve, gazetarët e “Fiks Fare” tentuan të merrnin një përgjigje drejtpërdrejt nga Belinda Balluku, ish-ministre e Infrastrukturës, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Pyetja që iu drejtua ishte e drejtpërdrejtë: “A e keni kërcënuar punonjësen Mirzeta Kashnica? A ju kujtohet ky emër?”
Balluku nuk dha një përgjigje për pyetjet e gazetarëve dhe vijoi rrugën drejt palestrës. Gazetarët këmbëngulën për një reagim lidhur me akuzat për kërcënime dhe presione ndaj punonjësve, por sërish nuk morën përgjigje.
Në pamjet e publikuara nga emisioni, situata tensionohet më tej, pasi Balluku shtyn gazetaren dhe vazhdon rrugën. Më pas, ajo nxjerr telefonin dhe nis të filmojë gazetaren dhe operatorin e “Fiks Fare”.
Grupi i emisionit e shoqëroi deri në hyrje të palestrës, duke kërkuar një përgjigje për akuzat dhe situatën e krijuar në ministri.
Megjithatë, Balluku nuk dha asnjë përgjigje.
