Ministrja e Arsimit dhe deputetja e Përmetit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas dy ditësh protestash dhe akteve të shkatërrimit në ambientet e Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Përmes një reagimi publik, Kumbaro shprehet se po e ndjek me shqetësim situatën e krijuar, duke theksuar se respekton të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë nga institucionet, por kundërshton dhunën dhe dëmtimin e pronës publike.
“Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës”, shprehet ministrja.
Ajo thekson se protesta qytetare dhe dhuna ndaj institucioneve janë dy gjëra të ndryshme, duke nënvizuar se Ministria e Arsimit do të vijojë të jetë e hapur për dialog me studentët, universitetet dhe prindërit.
Kumbaro bën të ditur se kati i parë i ministrisë është djegur dhe se dëmet kanë prekur edhe dokumente e materiale, duke bërë që ambientet të mos jenë të përdorshme deri në riparimin e tyre.
Në reagimin e saj, ministrja përmend gjithashtu mbështetjen financiare për studentët dhe përfundon me një mesazh të drejtpërdrejtë për ta:
“Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t’ju shtyjë drejt akteve të dhunës. Zëri juaj ka vlerë pikërisht kur dëgjohet përmes ideve dhe argumenteve!”
