Një zhvillim i ri ka ardhur për shqiptarin Klaudio Kanani, i cili ndodhet në një burg në Guangzhou të Kinës, pasi u shpall fajtor për trafik droge.
Gjykata e Apelit në provincën Guangdong ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për dënimin kapital, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të vitit 2025. Kanani do të vuajë 25 vite burg.
Sipas autoriteteve gjyqësore kineze, shqiptari u shpall fajtor për trafikimin e rreth 1 ton droge, e cila dyshohet se ishte nisur nga Hong Kongu.
Vendimi i Apelit i është komunikuar Kananit disa ditë më parë, ndërsa ai vijon të qëndrojë në burgun e Guangzhou.
Në pamjet e siguruara nga Top Channel, i riu nga Tepelena shfaqet duke folur për familjen e tij dhe gjendjen në burg.
“Mos u bëni merak, jam mirë me shëndet. Më ka marrë malli për ju. Unë këtu jam mirë, por normalisht si në burg. Ju mos u shqetësoni për asnjë gjë”, shprehet ai.
Tashmë, kërkesa kryesore e Kananit dhe familjes së tij është që ai të transferohet në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Familjarët kanë shprehur mirënjohjen për ndihmën e dhënë deri më tani nga shteti shqiptar, por kërkojnë që përpjekjet diplomatike të vijojnë për transferimin e tij.
Çështja është ndjekur edhe më herët nga autoritetet shqiptare. Sipas raportimeve, në përpjekjet diplomatike për shmangien e dënimit kapital janë përfshirë ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani, ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe ambasadori shqiptar në Kinë, Riza Poda.
Ndërkohë, familja kërkon që ministrat Ferit Hoxha dhe Toni Gogu të ndërmarrin hapat e nevojshëm, duke iu referuar marrëveshjes së reciprocitetit me Kinën, me qëllim nisjen e procedurave për transferimin e Kananit në Shqipëri.
Ndryshe nga shqiptari, për disa prej bashkëakuzuarve kinezë gjykata ka dhënë dënime shumë më të rënda, përfshirë dënimin me vdekje.
