Ish-drejtuesi i Policisë, Shemsi Prençi, ka bërë një denoncim tjetër për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sipas tij, në hetimet e SPAK janë në fokus edhe pasuri të tjera që ai ia atribuon Ballukut, mes tyre një vilë në Sardenjë dhe ambiente biznesi në Tiranë.
Prençi tha se vila në Sardenjë është në emër të një personi të afërt me Ballukun. Sipas tij, verifikimet për këtë pronë janë kryer nga oficerë të BKH-së në kuadër të hetimeve. Ai pretendoi gjithashtu se shumë shpejt mund të dalin në dritë edhe të dhëna për lokale me sipërfaqe rreth 800 metra katrorë në Tiranë, të cilat sipas tij mbahen nën juridiksionin e ndërtuesve.
“Edhe Belinda tha se nuk kishte vila, por i dolën 3. Mes tyre, bëhet fjalë për një vilë në Sardenjë, është e konfirmuar nga hetimet e SPAK. Shumë shpejt do të dalin dhe ca lokale 800 metra katrorë brenda vendit, në Tiranë”, deklaroi ai.
Prençi komentoi edhe ndryshimet që po bëhen në Kuvend, duke thënë se ato mund t’ia vështirësojnë punën SPAK në vënien në punë të provave. Ai shtoi se mjafton të provohen tri vilat e Ballukut, ndërsa sipas tij ajo kishte thënë më parë se nuk kishte asgjë. Prençi vlerësoi gjithashtu se kryeministri tenton të bëjë avokatin e vartësve të tij.
Në fund, ish-drejtuesi i Policisë pretendoi se kryeministri Edi Rama do të shkojë në SPAK për trafikun e armëve dhe SHISH, dhe se do të merret patjetër në pyetje. Të gjitha këto janë deklarata të Prençit, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
