Vetëm dy muaj pasi mori detyrën, Migen Duka largohet nga drejtimi i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës. Në vend të tij është emëruar Albi Lika, duke shënuar një tjetër ndryshim në krye të ndërmarrjes brenda pak muajsh.
Largimi i Dukës vjen pa një shpjegim zyrtar nga SHRUKD, duke lënë të paqarta arsyet e këtij vendimi.
Administratori i ri, Albi Lika, u prezantua këtë të hënë para stafit të ndërmarrjes, në prani të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Fludian Çuka.
Lika vjen nga sektori privat. Inxhinier elektrik, ai ka punuar edhe në Autoritetin Portual të Durrësit. Që prej tetorit 2017, ka qenë administrator dhe bashkëthemelues i kompanisë “Electrical & IT Solution”, e cila operon në fushën e punimeve civile dhe elektrike.
Ndërkohë, Migen Duka, inxhinier hidroteknik dhe biznesmen nga Elbasani, ishte emëruar në këtë detyrë në gusht, duke zëvendësuar Olsen Kavallin.
Ky është ndryshimi i dytë në drejtimin e SHRUKD-së brenda pak muajsh. Largimi i një administratori pas vetëm dy muajsh në detyrë ngre pikëpyetje mbi arsyet e këtij rotacioni, për të cilat deri më tani nuk ka pasur një sqarim zyrtar.
