Këngëtarja Blerina Matraku ka folur në emisionin “Goca dhe Gra” lidhur me çështjen që e ka vendosur në qendër të vëmendjes, për shkak të përfshirjes së saj në videot e lidhura me kompozitorin Adi Hila.
Ajo tha se dëshiron të tregojë versionin e saj të ngjarjeve dhe se situata nuk është ashtu siç duket. Matraku u shpreh se ka paguar 10 mijë euro për një album dhe se mes tyre nuk ka asnjë borxh për këngët.
Fillimi i bashkëpunimit
Duke u kthyer te fillimi i marrëdhënies profesionale, ajo tregoi se e kishte kërkuar kompozitorin për disa muaj, për shkak të reputacionit dhe seriozitetit të tij në fushën e muzikës. Sipas saj, në vitin 2007 i kërkoi Adi Hilës të realizonin një album dhe e pagoi shumën prej 10 mijë eurosh.
Matraku shpjegoi se paratë i kishte mbledhur nga puna në evente, dasma dhe nga angazhimi si stjuardesë, ndërsa për këtë investim kishte marrë ndihmë edhe nga miqtë e saj. “Nuk i kam absolutisht asnjë lloj borxhi ndaj këngëve të mia dhe as nuk më ka”, tha ajo.
“Jam e tradhtuar dhe e përdorur”
Këngëtarja deklaroi se nuk e dinte që në shtëpi kishte kamera sigurie dhe se në atë kohë ishte e vetëdijshme vetëm për sistemin e alarmit. “Nuk dija absolutisht asgjë”, tha ajo, duke shtuar se është e indinjuar nga shpërndarja e materialeve.
Ajo shtoi se ndihet e tradhtuar, por jo si partnere: “Jam e përdorur, e shitur si figurë të cilën ai e krijoi”. Matraku tha gjithashtu se nuk dëshiron të përmendë shumë gjëra për të mos cenuar një familje.
