Kryeministri Edi Rama u bën thirrje qytetarëve të mos përkulen përballë dhunës, ndërsa refuzon të bëjë lëshime përballë protestave që kanë hyrë në ditën e katërt. Studentët dhe gjimnazistët vijojnë tubimet në Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Lezhë, ku janë regjistruar përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike. Në kryeqytet, protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit dalin para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë, ndërsa Këshilli Ndërfetar apelon për paqe dhe dialog.
“Mos u përkulni përballë dhunës, durim, edhe kjo do të kalojë”, është mesazhi i kryeministrit Edi Rama në një moment kur protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë hyrë në ditën e katërt dhe janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Kreu i qeverisë ka kundërshtuar idenë e bërjes së lëshimeve në këmbim të qetësimit të situatës, duke mbajtur qëndrimin e tij përballë protestave dhe kërkesave për dorëheqjen e qeverisë.
Ndërkohë, situata në terren vijon të jetë e tensionuar. Në Tiranë, protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit po dalin para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Në Korçë dhe Lezhë janë raportuar dëmtime të institucioneve dhe përplasje, ndërsa në Vlorë të rinjtë janë përplasur me policinë pas tentativës për të prishur murin e projektit të Muzeut Hebraik.
Rama: Mos u përkulni përballë dhunës, durim, edhe kjo do të kalojë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat që kanë përfshirë vendin, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos përkulen përballë dhunës dhe të tregojnë durim.
Mos u përkulni përballë dhunës, durim, edhe kjo do të kalojë”, është mesazhi i përcjellë nga kreu i qeverisë.
Rama ka kundërshtuar idenë e bërjes së lëshimeve në këmbim të qetësimit të situatës, duke mos ndryshuar qëndrimin e tij përballë protestave dhe kërkesave për largimin e qeverisë.
Deklarata vjen në një moment kur mobilizimi i të rinjve vijon në kryeqytet dhe është shtrirë edhe në qytete të tjera, ku janë regjistruar incidente, ndërhyrje të policisë dhe dëmtime të pronës publike.
Këshilli Ndërfetar apel për paqe, drejtësi dhe dialog kombëtar
Krerët fetarë të Shqipërisë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën e krijuar gjatë protestave studentore.
Këshilli Ndërfetar u bën thirrje palëve për paqe, drejtësi, përgjegjshmëri dhe dialog kombëtar, duke theksuar se të rinjtë duhet të dëgjohen dhe institucionet duhet të japin përgjigje në përputhje me ligjin.
Në deklaratë shprehet shqetësimi edhe për dëmtimin e bizneseve familjare dhe institucioneve arsimore, që sipas krerëve fetarë cenojnë të drejtën për dije dhe siguri.
Protestuesit e arrestuar dalin para gjykatës në Tiranë
Protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit kanë dalë këtë të premte para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë.
