Presidenti Bajram Begaj ka reaguar sërish për protestën studentore që ka përfshirë Tiranën, e cila është shoqëruar me përplasje me policinë dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe bizneseve. Kreu i Shtetit thotë se zëri i qytetarëve, sidomos i të rinjve, duhet dëgjuar, por thekson se dhuna nuk është rruga.
“Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit”, shkruan Begaj në reagimin e tij. Ai shton se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, të cilët sipas tij përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit, dhe se këtë nuk e vë askush në diskutim.
“Shqipëria është shtëpia e të gjithëve”
Megjithatë, Presidenti paralajmëron se dhuna dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike. “Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin”, deklaron ai, duke e cilësuar Shqipërinë si atdheun e përbashkët dhe shtëpinë e të gjithëve.
Begaj u bën thirrje të gjithëve të tregojnë maturi, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Ai inkurajoi forcat e rendit në atë që e quajti një detyrë “tejet delikate” dhe uroi shërim të shpejtë për çdo të lënduar, qoftë polic apo protestues.
Në fund, Kreu i Shtetit thotë se, me përgjegjësinë dhe tagrat që i jep Kushtetuta, mbetet i hapur për këdo që kërkon një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi. Ai u kërkoi aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë dhe të Shqipërisë.
