TIRANË – 89 persona kanë marrë kujdes shëndetësor pas akteve të dhunshme gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Bilanci është bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në të dhënat e Spitalit Universitar të Traumës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar 79 persona, mes tyre 61 efektivë policie dhe 18 protestues. Aktualisht, në këtë spital vijojnë të qëndrojnë të shtruar katër efektivë policie dhe dy protestues.
Tre persona, dy efektivë policie dhe një protestues, pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ata janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, në QSUT janë trajtuar 10 pacientë në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se aktualisht nuk ka pacientë të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.
Bilanci pasqyron pasojat e protestës së djeshme, gjatë së cilës u regjistruan përplasje dhe akte dhune në kryeqytet.
