Blerina Matraku ka folur hapur për marrëdhënien me kompozitorin Adi Hila, duke pohuar se kishte krijuar ndjenja të sinqerta për të dhe se nuk kishte asnjë dijeni për kamerat e sigurisë të vendosura në banesë. Deklaratat i bëri në emisionin “Goca dhe Gra”.
Sipas këngëtares, Hila zinte një vend të veçantë në jetën e saj. Ajo tregoi se e kishte vendosur mes njerëzve më të besuar, menjëherë pas Zotit dhe familjes, madje përpara vetes. “Krijova ndjenja dhe ishin shumë të vërteta, të pastra dhe të çiltra”, u shpreh ajo, duke shtuar se ishte gati ta bënte të lumtur dhe të qetë, pasi ai kishte shumë ngarkesa profesionale.
Matraku tha se nuk mund të zbulojë shumë detaje, sepse nuk dëshiron të dëmtojë një familje. Ajo pretendoi se në atë kohë e dinte kompozitorin të ndarë dhe se, sapo mësoi që nuk ishte kështu, u largua nga marrëdhënia.
“Jam e tradhtuar dhe e përdorur”
Këngëtarja pohoi se kishte dijeni vetëm për një sistem alarmi në shtëpi, i vendosur pas disa vjedhjeve të asaj kohe, dhe jo për kamera sigurie. “Nëse do ta kisha ditur që aty është kamerë, do ta dija mirë që mund të monitorohet nga diku tjetër”, tha ajo.
Ajo deklaroi se ndihet e tradhtuar, jo si partnere, por si figurë artistike që ai vetë e kishte ndihmuar të rritej profesionalisht. Sipas saj, nuk e kishte menduar kurrë që një njeri që i fliste për seriozitet dhe kujdes të vendoste kamera në dhoma pa dijeninë e saj.
Matraku u shpreh edhe për faljen publike të kompozitorit, të cilën e cilësoi të paplotë. Ajo tha se është e indinjuar dhe se nuk do ta kishte bërë kurrë atë që ndodhi, nëse do ta dinte se pamjet do të shpërndaheshin.
