Makina në të cilën ndodhej Ergys Agasi në momentin e arrestimit ishte marrë nga ish-zyrtari i policisë Ulian Shpataraku te një biznes në zonën e Durrësit, i cili e kishte nxjerrë atë në shitje. Këtë e ka sqaruar vetë pronari i automjetit në shpjegimet që ka dhënë në SPAK.
Kush është pronari
Kadri G. ka treguar para hetuesve se zotëron një biznes në Shijak, që merret me tregtimin dhe dhënien me qira të automjeteve. Sipas tij, makina në fjalë, një Audi me targa AB 323 JK, është pronë e tij. Ai ka shpjeguar se e kishte blerë në Vlorë dhe më pas e kishte nxjerrë në shitje, bashkë me njoftimin përkatës.
Si përfundoi makina te Shpataraku
Sipas dëshmisë së tij, më 24 gusht 2026, rreth orës 15:00, një person me emrin Uljan u interesua për ta blerë makinën. Pronari thotë se e njihte si fytyrë nga televizori.
Ai tregon se ia dha automjetin për ta provuar. Blerësi i mundshëm e mori me qëllim që ta çonte në servis për kontroll, ndërsa më pas palët do të kryenin veprimet te noteri dhe pagesën prej 15.000 eurosh.
Pronari ka treguar se më vonë mësoi nga lajmet që Ulian Shpataraku ishte arrestuar dhe se ndodhej pikërisht me makinën e tij, e cila tashmë është bllokuar nga policia.
“Nuk i njoh”
Kadri G. ka deklaruar se nuk e njeh personalisht as Ulian Shpatarakun, as Ergys Agasin. Sa i përket tabelës “Shitet” në makinë, ai ka sqaruar se ajo mund të jetë hequr në momentin kur blerësi e mori automjetin për provë.
Shpjegimet e tij janë pjesë e materialeve që SPAK po shqyrton në kuadër të hetimit për këtë çështje.
