Ndërsa më 23 maj pritet të zhvillohet gara për kreun e ri të demokratëve, anëtarja e Partisë Demokratike Alesia Balliu është vënë në lëvizje për të penguar kandidimin e Sali Berishës.
Balliu i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryesisë së PD-së dhe Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në PD, të cilëve u kërkon që të konstatojnë përfundimin e mandatit të Sali Berishës si kryetar të partisë.
Kërkesën e saj, Balliu e bazon në nenin 46 të Statutit të PD-së, (i njohur edhe si neni ‘Basha’), i cili sanksionon se kryetari largohet nëse humb zgjedhjet parlamentare. Por, ndonëse ku nen u vendos nga vetë Berisha pas luftës me Lulzim Bashën për partinë, ai refuzoi ta zbatojë pas disfatës së thellë të 11 majit me argumentin se zgjedhjet ishin farsë elektorale.
“Në nenin 46 pika 8 e Statutit përcaktohet se: Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie. Siç përcakton qartë kjo dispozitë mandati i kryetarit ka mbaruar që në datën 04.09.2025 dhe që prej asaj datë shtetasi Sali Ram Berisha nuk mund të ushtojë më funksionet e kryetarit të PDSH-së pasi një veprim i tillë bien ndesh me një dispozitë urdhëruese të Statutit. Në zbatim të nenit 48 të Statutit është detyra e Kryesisë së PDSH-së që në mungesë të vullnetit institucional të uzurpuesit të pozicionit të kryetarit të PDSH-së të ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për të vendosur në vend legjitimitetin e organeve drejtuese të PDSH-së”, thuhet në kërkesë.
