Një dron rus u përplas me një pallat 10-katësh në qytetin Galați të Rumanisë, pranë kufirit me Ukrainën, duke plagosur lehtë dy persona. Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, droni kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune gjatë sulmeve ruse ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës ukrainase pranë kufirit lumor dhe u ndoq nga radarët deri në momentin e përplasjes në çatinë e ndërtesës, ku shkaktoi edhe zjarr.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e cilësoi incidentin si “një përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm” nga ana e Rusisë. Autoritetet rumune njoftuan se kanë informuar aleatët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, duke kërkuar përshpejtimin e transferimit të sistemeve kundër dronëve në territorin rumun.
Nga ana e saj, NATO reagoi duke dënuar “papërgjegjshmërinë e Rusisë” dhe deklaroi se do të vazhdojë forcimin e mbrojtjes ndaj të gjitha kërcënimeve, përfshirë sulmet me dronë.
