Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi i Gjykatës së Lartë është në vijimësi të një serie kërkesash që Kryebashkiaku ka bërë për ndryshimin e masës së sigurisë. Gjykata e Lartë me vendimin e djeshëm ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së, sipas të cilit kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të qëndrojë në qeli.
Trupi gjykues i përbërë nga Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala vendosën të lënë në fuqi vendimmarrjen e 24 shkurtit të Apelit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO). Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative kundrejt garancisë pasurore, ose masë detyrim paraqitjeje, por Apeli ia rrëzoi kërkesën. “Kërkohet zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, me një masë sigurimi më të butë si “Garanci pasurore” parashikuar nga neni 236 i Kodit të Procedurës Penale ose “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit te Procedurës Penale”, thuhej në kërkesën e Veliajt.
Rekursi i Kryebashkiakut ishte depozituar në Gjykatë, dy ditë pasi Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë mori vendimin unifikues mbi masat e sigurisë, ku i takon Prokurorisë që të argumentojë sepse kërkon masa sigurie “arresti me burg”, kur është e mundshme që të aplikohen masa të tjera sigurie. Përveç këtij rekursi, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë për lirimin e Veliajt. Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë, në vendimin që do duhet të rimarrë për Veliajn do të duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak.
Pritet që Gjykata e Lartë të rishqyrtojë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë,por me një tjetër trup gjykues. Veliaj është arrestuar në shkurt 2025 me urdhër të SPAK, ndërsa Prokuroria Speciale ngriti 13 akuza ndaj tij, 9 prej të cilave të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
