Aktori i njohur Robert Ndrenika ka reaguar pas debatit të krijuar në rrjet dhe opinionin publik lidhur me takimin e tij me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në lidhje direkte, Ndrenika sqaroi se prania e tij pranë Veliajt ishte krejtësisht personale dhe jo e lidhur me interesa politike apo përfitime personale.
Artisti u ndal edhe te komentet dhe kritikat që mori pas publikimit të takimit, duke thënë se një pjesë e tyre e kanë mërzitur, ndërsa të tjera i kanë bërë edhe përshtypje pozitive.
Ndër të tjera, ai foli edhe për raportin e hershëm me Veliajn, debatet për Teatrin Kombëtar dhe akuzat që janë ngritur ndaj tij në rrjetet sociale.
Kur e bëtë deklaratën, a menduat se do të kishte kaq shumë komente?
Ndrenika: Nuk e mendova. Vajta si një njeri që e njoh që fëmijë, ishte diçka personale.
Ju kanë mërzitur komentet?
Ndrenika: Edhe më kanë mërzitur, por disa edhe më kanë bërë qejfin.
Mendoni se u keqkuptuat?
Ndrenika: Ka shumë raste që jam keqkuptuar. Për shembull, një budallallëk ishte kur thanë se më ka dhënë shtëpinë. Unë shtëpinë e kam trashëgimi që në kohën e Fan Nolit.
Ju janë bërë akuza për interesa personale, ndërkohë që ju ishit si mik aty…
Ndrenika: Po, po, po. Që kur ishte nxënës në shkollën 7-vjeçare.
Thatë se është si djali juaj i birësuar…
Ndrenika: Ashtu e kam ndjerë, si i adoptuar ose i birësuar (qesh). E kam dashur shumë. I kam vajtur edhe për të pirë kafe. Më donte dhe e doja.
Ka pasur komente edhe nga kolegët në teatër, që kanë thënë: “Pse e mbështete, se na prishi teatrin?”
Ndrenika: Të gjithë paraardhësit thoshin: “Kur do të bëhet një teatër i ri?” Ai teatër që na mbajti për 50 vjet ishte një kalbësirë. Mënyra si u prish, apo fakti që duhej prishur, pavarësisht konfliktit politik mes PD-së dhe PS-së, ishte një çështje tjetër.
Me kolegët, pate mundësi të komunikosh?
Ndrenika: Shumë më kanë thënë që bëra shumë mirë që vajta.
