Thursday, April 16, 2026
HomeALBU dogjën dhjetra shtëpi, pronari Armand Lilo bën “Playboy-in” me Ferrari e...

U dogjën dhjetra shtëpi, pronari Armand Lilo bën “Playboy-in” me Ferrari e luks të shfrenuar

Ndërsa dhjetra familje panë tmerrin me sy kur flakët shkrumbuan apartamentet e tyre në kompleksin “Arlis”, “arkitekti” i kësaj tragjedie, ndërtuesi Armand Lilo, duket se shqetësimin e vetëm ka pasur kurimin e imazhit si “play boy”. Sot në kërkim nga drejtësia për zjarrin që la në qiell të hapur dhjetëra qytetarë, Lilo rezulton se jeton në një botë tjetër, atë të luksit që të vret sytë.

Profilet e tij në rrjetet sociale janë një sfidë e hapur për varfërinë dhe ligjin. Ndërkohë që fasada e kuqe e pallatit të tij digjej si letër, Lilo “digjte” rrjetin me poza krah makinave që kapin shifra marramendëse. Ferrari, Range Rover e Maserati janë aksesorët e tij të përditshëm, një kontrast i dhimbshëm ky me hirin që mbeti pas në pronat e qytetarëve që i besuan kursimet e jetës.

Emri i Armand Lilos dhe kompania pas së cilës ai qëndron, “Ideal Construction”, nuk është i panjohur për skandale. Edhe pse Kryeministri Edi Rama pati deklaruar me bujë në shtator të vitit 2025 se kulla “Syri i Tiranës” kishte 4-5 kate pa leje, duket se mesazhi “shteti është më i madh se ti” ka mbetur vetëm në letër.

“Sikur të mblidheshin gjithë fshatarët që policia u ka vënë gjoba për një avlli, do të bëhej mitingu më i madh… ndërkohë në mes të Tiranës, Syri i Tiranës ka 5 kate pa leje,” – shprehej Rama asokohe.

Një detaj sa ironik aq edhe rrëqethës është pasioni i ndërtuesit pas ngjyrës së kuqe. Që nga fotot e para me xhup të kuq, tek atletet e shtrenjta nëpër shkretëtirë, e deri te fasada “e mallkuar” e pallatit që u shkrumbua një ditë më parë. Për Lilon, e kuqja është ngjyra e luksit dhe e rrobave të shtrenjta; për banorët e “Arlis”, mbetet ngjyra e tragjedisë që u dogji jetën.

Sot, ndërsa qytetarët llogarisin dëmet dhe kërkojnë përgjegjësi, “Playboy-i” i ndërtimit është i paarritshëm, duke lënë pas vetëm tymin e një luksi të ngritur mbi shkelje dhe papërgjegjshmëri.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments