Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera për të protestuar kundër projektit të resortit luksoz të lidhur me biznesmenin amerikan Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Sipas raportimit të The Guardian, protestat janë intensifikuar pas nisjes së punimeve në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Vjosë-Nartës.
Organizatat mjedisore pretendojnë se projekti prej rreth 1.6 miliardë dollarësh po zhvillohet pa transparencë të plotë dhe rrezikon një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në Mesdhe. Protestuesit kërkojnë ndalimin e punimeve dhe mbrojtjen e zonave natyrore.
Ndërkohë, SPAK ka nisur verifikime lidhur me ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, të cilat sipas kritikëve i hapën rrugë investimit.
Nga ana tjetër, zhvilluesit e projektit dhe kryeministri Edi Rama kanë mbrojtur investimin, duke theksuar se ai do të sjellë vende pune, zhvillim ekonomik dhe rritje të turizmit elitar në Shqipëri.
Protestat pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa debati mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit mbetet në qendër të vëmendjes publike.
