Partia Demokratike dhe Partia Socialiste ditën e sotme u bënë bashkë dhe votuan me 114 vota pro dhe 1 abstenim projektrezolutën e përbashkët për integrimin në Bashkimin Europian. Por çfarë qëndron pas këtij votimi me konsensus?
Gazetarja e njohur Desada Metaj ka zbuluar një detaj interesant, duke bërë me dije se para votimit të kësaj rezolute ka pasur një telefonatë mes dy krerëve të grupeve parlamentare, Taulant Balla dhe Gazment Bardhi.
Sipas saj, palët janë angazhuar për të nxitur një dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet europiane, ndërsa mazhoranca është zotuar se do të krijojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në jetën parlamentare.
Ndërsa më tej, gazetarja nuk lë pa thumbuar as kryedemokratin Sali Berisha, për të cilin shkruan se “revolucioni” i tij me molotov përfundoi me negociatat brenda korridoreve.
“Në fund, revolucioni me molotov përfundoi në negociata korridoreve për një rezolutë që më shumë ngjan me një ngopje me lugë bosh sesa me një marrëveshje që ndryshon ndonjë gjë reale në politikën shqiptare”, thekson Metaj në postimin e saj.
