Thursday, June 4, 2026
HomeALBPo i shantazhojnë me vendet e punës së prindërve” – Deklarata e...

Po i shantazhojnë me vendet e punës së prindërve” – Deklarata e fortë e Klodiana Lalës

Gazetarja Klodiana Lala ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një valë presioni ndaj të rinjve që po marrin pjesë në protestat qytetare në Tiranë. E ftuar në një intervistë televizive, Lala deklaroi se ka marrë informacione sipas të cilave disa studentë janë kërcënuar dhe janë vënë nën presion që të mos i bashkohen protestave.

Sipas gazetares, protesta e zhvilluar së fundmi ishte ndër më qytetaret dhe më paqësoret që ajo ka parë, duke theksuar se pjesëmarrja e familjeve, prindërve dhe të rinjve e dallonte qartë nga tubimet tradicionale politike.

“Ka qenë një ndër protestat më të bukura që kam parë dhe uroj që të mos demoralizohen qytetarët, sepse sot kam pasur informacion se studentë të caktuar janë kërcënuar të mos dalin në protestë, duke i kërcënuar me punën e prindërve. Një prej tyre më ndaloi sot dhe më kërkoi ta thoja hapur”, u shpreh Lala.

Gazetarja theksoi se në protestë kishte prani të madhe të familjeve dhe të rinjve, duke argumentuar se shumë qytetarë kishin dalë në shesh për të kërkuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

“Kjo është protestë qytetare. Një nënë me fëmijë në krah thoshte: ‘Kam dalë këtu për të ardhmen e fëmijës sim’. Prindërit protestonin për një vend më dinjitoz për fëmijët e tyre. Kam parë të rinj vitalë që nuk i kam parë në protestat e partive politike. Protestuesit kanë treguar qytetari”, deklaroi ajo.

Lala komentoi edhe masat e marra nga Policia e Shtetit gjatë protestës, duke i konsideruar të panevojshme disa prej kufizimeve të vendosura për protestuesit. Ajo u shpreh se gardhet metalike dhe pengesat e ngritura në disa pika nuk kishin arsye të vendoseshin në atë formë, ndërsa kritikoi edhe përdorimin e mjeteve irrituese në një tubim ku, sipas saj, ishin të pranishëm edhe fëmijë.

“Gardhi metalik mund të ishte vendosur sa kalon kryeministri, nuk kishte nevojë të vendosej te ura e Lanës për të penguar protestuesit. Ata nuk patën dhunë, pati vetëm një konfrontim normal për të tejkaluar gardhin. Nuk duhet të përdorej ujë me piper ndaj protestuesve, sepse aty kishte edhe fëmijë”, tha gazetarja.

Deklaratat e Klodiana Lalës kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë diskutuar pretendimet e saj për presion ndaj studentëve dhe mënyrën e menaxhimit të protestës nga autoritetet.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments