Reperi i njohur Noizy ka reaguar sërish në lidhje me protestat që kanë dominuar debatet publike ditët e fundit. Pas deklaratës së tij të mëparshme, e cila shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, artisti ka publikuar një tjetër mesazh në Instagram Story.
Në postimin e fundit, Noizy shprehet se prej ditësh ka marrë mesazhe të shumta, disa prej tyre edhe fyese, lidhur me qëndrimin e tij për protestat. Ai thekson se kushdo që mendon se protesta është rruga e duhur, duhet të dalë dhe të protestojë, por shton se personalisht nuk i është bashkuar tubimeve.



“Dil protesto nëse mendon se është rruga e drejtë. Protesta është bërë super e famshme, kush do me dal le dali. Ky është mesazhi im i fundit. Unë për vete nuk bëj protestë se nuk po kuptoj për çfarë po protestohet. Kush do ndryshim protesto, është shumë e thjeshtë”, shkruan reperi.
Reagimi i tij ka ndezur menjëherë debat në rrjetet sociale, ku një pjesë e ndjekësve e kanë mbështetur për sinqeritetin e treguar, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar për qëndrimin e mbajtur ndaj protestave.
Postimi vjen vetëm pak kohë pasi deklarata e tij e mëparshme u bë virale dhe u komentua gjerësisht nga përdoruesit e rrjeteve sociale. Me reagimin e fundit, Noizy duket se ka vendosur të sqarojë pozicionin e tij, duke theksuar se nuk është kundër protestës si formë reagimi qytetar, por se nuk e ka të qartë kauzën për të cilën po protestohet.
