Barrikada FC ka njoftuar publikisht se do t’i bashkohet protestës së planifikuar, duke u bërë kështu një nga klubet e para të futbollit në vend që shpreh hapur një qëndrim të tillë.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, klubi thekson se “Barrikada” nuk është vetëm një ekip futbolli, por një komunitet që përfaqëson studentët, pensionistët, punëtorët, sipërmarrësit dhe qytetarët që përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike e sociale.

Në deklaratë renditen një sërë problematikash, si kostoja e jetesës, pensionet, sistemi shëndetësor, mungesa e ilaçeve, si dhe vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara.
“Ne jemi Barrikada. Dhe barrikadat nuk ngrihen për privilegje. Barrikadat ngrihen kur njerëzit refuzojnë të pajtohen me padrejtësinë”, thuhet në fund të reagimit.
Qëndrimi i klubit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar si një veprim të pazakontë për futbollin shqiptar.
