ARRSH hap tenderët për bypass-in e Elbasanit, synimi, shfryrja e trafikut në Bradashesh
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy procedura tenderimi me një fond limit prej rreth 5.8 miliardë lekësh për ndërtimin e segmentit lidhës Tiranë–Elbasan, pjesë e rëndësishme e bypass-it të Elbasanit dhe Korridorit VIII Pan-Europian.
Segmenti i ri, me gjatësi rreth 4 kilometra, do të nisë përpara rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe do të përfundojë pranë ish-Metalurgjikut.
Ky aks synon të lehtësojë trafikun e rënduar në hyrje dhe dalje të autostradës Tiranë–Elbasan, një nga pikat më problematike të qarkullimit aktual.
Sipas dokumenteve të tenderit, ndërtimi i bypass-it të Elbasanit në tërësinë e tij është thelbësor për devijimin e trafikut jashtë zonave urbane, duke qenë se unaza ekzistuese nuk përballon më fluksin dhe nuk plotëson parametrat teknikë të kërkuar.
Projekti konsiderohet pjesë integrale e Korridorit VIII, një nga akset kryesore të transportit rajonal dhe ndërkombëtar, dhe pritet të lidhë segmentet Elbasan–Lekaj dhe Elbasan–Qafë Thanë.
Gjurma e re do të kalojë kryesisht në zona kodrinore dhe rurale, me qëllim shmangien e zonave të banuara.
Autoritetet parashikojnë se realizimi i këtij bypass-i do të sjellë ulje të kohës së udhëtimit, përmirësim të sigurisë rrugore, si dhe reduktim të ndotjes akustike dhe ajrore në qytetin e Elbasanit.
Projekti është përfshirë në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029, me një vlerë totale të parashikuar rreth 240 milionë euro.
