Jonus Murataj, është shefi i shërbimit zjarrfikës, i cili rrezikoi jetën duke u ngjitur në shkallët mes flakëve për të shpëtuar një grua, të cilës madje i vendosi në kokë kaskën e tij për ta mbrojtur.
Ndërsa drejtonte operacionin për shuarjen e zjarrit dhe evakuimin e banorëve, ai nuk ngurroi të tregonte edhe anën njerëzore, duke e përqafuar gruan për ta qetësuar në ato momente të vështira.
“Vajza e saj më telefonoi dhe më tha se nëna ishte e sëmurë. Kur shkova ta shpëtoja, ajo më tha: ‘Më lër të digjem bashkë me shtëpinë’,” u shpreh ai për mediat.
Falë ndërhyrjes në kohë, zjarrfikësit arritën të izolojnë flakët në një pjesë të kompleksit, duke shmangur përhapjen e tyre dhe dëme edhe më të mëdha.
Ekipi i zjarrfikësve qëndroi në terren gjatë gjithë natës dhe vijoi punën edhe gjatë së mërkurës, pasi herë pas here riaktivizoheshin vatra të vogla zjarri.
