Prokuroria e Gjirokastrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq sot në 5 maj një shtetas të dyshuar për pastrim parash.
Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për shtetasin A.B., i cili dyshohet se ka përfituar të ardhura nga aktivitete të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Këto të ardhura, sipas hetimeve, janë investuar në pasuri të paluajtshme në qytetin e Sarandës.
Janë sekuestruar dy apartamente dhe një automjet luksoz, si pjesë e pasurisë së dyshuar. Dyshohet se përmes këtyre investimeve janë kryer veprime për të fshehur origjinën e të ardhurave.
Prokuroria thekson se janë ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar pastrimin e parave. Në kuadër të hetimeve është vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e shtetasit në fjalë.
Njoftimi i Prokurorisë Gjirokastër:
Prokuroria Gjirokastër dërgon në gjyq shtetasin A.B. për ‘pastrim parash’, sekuestrohen 2 apartamente dhe makinë, të dyshuara nga veprimtari të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.B., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga hetimet paraprake për procedimin penal nr.13, të vitit 2022, rezultoi se ky shtetas ka siguruar pasuri të paluajtshme nga të ardhurat nga veprimtaria e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në qytetin e Sarandës, si dhe blerjes së automjetit “Mercedes Benz” me të cilin ushtron aktivitetin e shërbimit “transport udhëtarësh”, ky shtetas rezultoi se ka kryer veprime financiare me qëllim shmangien nga raportimi sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave, arsye për të cilën po procedohet penalisht.
Në funksion të hetimit, me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u caktua “Sekuestro preventive” mbi pasuritë që i përkasin shtetasit A.B. si më poshtë:
a. Pasuria e llojit “Apartament” me sip. 66.8m2, vendodhje rruga “1 Maji”, Sarandë;
b. Pasuria e llojit “Apartament” me sip. 160.7m2, vendodhje rruga “1 Maji”, Sarandë; dhe
c. Autoveturë “Mercedes Benz”.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grup-veprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.
