Ish-fituesi i Big Brother, Jetmir Salaj, ka publikuar një mesazh të fortë në InstaStory, duke ngritur akuza të ashpra për situatën në Shqipëri dhe duke iu drejtuar veçanërisht emigrantëve.
Në postimin e tij, Jetmiri shprehet se shpesh dëgjon njerëz që flasin me orë të tëra për problemet në vend, duke përmendur rritjen e kostos së jetesës, mungesën e barazisë para ligjit, korrupsionin në politikë, ndikimin e mediave dhe politikës, si dhe problematika të tjera sociale.

“Ai momenti pasi ke folur 2 orë se jeta në Shqipëri është e shtrenjtë, nuk ka barazi përpara ligjit, politikanët shqiptarë janë të korruptuar, media dhe politika janë trashëgimi e komunizmit, në spitale nuk ka ilaçe, ndotja është në nivel alarmant etj., etj…”, shkruan ai.
Më pas, Jetmiri vijon me një deklaratë edhe më të fortë, ku ironizon faktin që sipas tij, pavarësisht të gjitha këtyre kritikave, për shumë persona politika mbetet mbi gjithçka.
“Në fund: Partia mbi të gjitha”, shkruan ai.
Por pjesa që ka shkaktuar më shumë reagime është mesazhi drejtuar emigrantëve:
“Përfundimisht e kam me ju emigrantët: mos e ktheni kokën pas, ata që jetojnë në Shqipëri janë të shpëlarë në tru…”
Postimi ka nxitur menjëherë diskutime të shumta në rrjetet sociale, me ndjekës që janë ndarë mes atyre që mbështesin qëndrimin e tij dhe atyre që e konsiderojnë deklaratën të tepruar. Deri tani, Jetmir Salaj nuk ka dhënë një reagim shtesë për komentet e shumta që ka shkaktuar ky postim.
