Komentet e fundit në rrjetet sociale të ish-ministres së Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, e cila kritikonte funksionimin e Partisë Socialiste ndërsa sfidonte edhe lidershipin e kësaj force politike me fjalët “Më përjashto”, janë pritur me mjaft bujë në mjedisin mediatik dhe atë politik.
Shumë analistë e kanë komentuar, por si i shohin kritikat e Spiropalit eksponentë brenda kësaj force politike? A mundet ky debat të prodhojë një përçarje në kampin rozë?
Në një intervistë në rubrikën “Përballë Lajmit” në Klan News, gazetari Besard Jacaj pyeti për këtë çështje deputeten Romina Kuko, ish-zëvendësministre për Punët e Brendshme. Jacaj e pyeti Kukon edhe nëse do votonte pro përjashtimit të Spiropalit në rast se një nismë e tillë do ndërmerrej, por Kuko u shpreh se nuk e kishte menduar ende një skenar të tillë.
Romina Kuko: “Tani Besi, unë nuk mund të komentoj gjëra që ndodhin në shtëpinë time. Parimi im si në jetë ashtu edhe në politikë dhe kudo është që çfarëdolloj gjëje që ndodh brenda shtëpisë tënde, qoftë kjo shtëpia jote politike, nuk komentohet jashtë. Unë nuk mund ta komentoj sepse unë jam pjesë e Partisë Socialiste, kam tani një dekadë pothuajse që jam një pjesë integrale e saj. Kështu që nuk dua të komentoj absolutisht asnjë gjë lidhur me këtë çështje. Unë besoj se pavarësisht çdo gjëje njerëzit kanë kontributet e tyre, dhe në fund të ditës janë të lirë të shprehin mendimin e tyre. Është vetëm kjo ajo çfarë mund të them. Mirë nuk më vjen me thënë të drejtën që komentohet gjerësisht kjo gjë nga disa me një lloj gëzimi për përçarje në thonjëza të Partisë Socialiste. Unë nuk besoj se ka përçarje. Besoj që ka një debat. Socialistët janë të famshëm për debate. Mos harroni KPD-në e famshme para shumë vitesh dhe të gjitha këto lëvizjet e tjera që janë bërë në vijimësi”
Pyetje: Nëse ju vjen një kërkesë si pjesë e grupit parlamentar të PS-së për përjashtimin e Elisa Spiropalit, ju do votoni pro zonja Kuko?
Romina Kuko: Nuk mund ta them tani këtë pjesë sepse e para e punës të thashë se ato që diskutohen brenda në shtëpi ne nuk i diskutojmë jashtë. Nuk e kam kaluar në fakt ndërmend këtë skenar që të them të drejtën. Kështu që nuk mund të të jap një përgjigje për diçka që nuk më ka shkuar ndërmend.
