Edhe në rastin e Mirela Buzallit, gjithçka nis brenda një familjeje me tre fëmijë, ku grindjet ishin kthyer në rutinë. Mbrëmja e 17 korrikut 2016 nuk ishte veçse vazhdim i një konflikti të gjatë, që përfundon me dy bashkëshortë në dhoma të ndara dhe me një heshtje që paraprin tragjedinë.
Në orët e para të mëngjesit, sipas saj, një debat i ri përshkallëzohet kur ai i thotë se nuk donte të jetonte më me të dhe do të sillte një grua tjetër në shtëpi. Sipas versionit të saj, ai moment shoqërohet me një tentativë dhune me sopatë, të cilën ajo arrin ta marrë dhe ta përdorë duke e goditur disa herë në kokë partnerin, në të njëjtën dhomë ku ndodhej edhe fëmija i tyre.
Gjatë debatit, viktima ka marrë një sëpatë që e kishte fshehur pas krevatit dhe ka tentuar të godasë të dyshuarën, por ajo ka mundur të shmanget, t’ja marrë sëpatën dhe ta godasë atë disa herë në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ajo u ka thënë djalit të madh e vajzës që të shkonin tek kushërinjtë e tyre, ndërsa vetë me djalin e vogël është nisur për në Komisariatin e Policisë të Vaut të Dejës, ku rezulton se ka mbërritur rreth orës 07:00 dhe ka njoftuar për krimin e kryer.
“Kushtet e vetëmbrojtjes normalisht kërkojnë një ekspertizë të detajuar sepse nuk mund të abuzohet në emër të vetëmbrojtjes. Normalisht pjesa më e vështirë është dallimi midis kushteve të vetëmbrojtjes kur ka ndodhur një sulm real i menjëhershëm dhe i padrejtë dhe i një veprimi që është ndërmarrë në këtë konotacion. Padyshim që ligji e njeh nëse ke vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes,” u shpreh pedagogia Nadia Elbasani.
“Unë kam pasur raste të tilla që njëra prej tyre më tha: ‘Drejtoreshë, më ka ndodhur që dhuna e bashkëshortit tim ka qenë sistematike që ditën e parë që jam martuar. Kam lindur 3 vajza, dhe pas 31 vitesh unë arrita ta vras. Tani jam çliruar, unë vetëm tani jam e lirë.’ Pra, ajo ishte e dënuar, dhe mendonte që tani është e lirë,” u shpreh Xhoi Jakaj, ish-drejtoreshë e burgut të grave.
Një skenë që përsërit të njëjtin model si tek Drane Deda, armë e ngjashme, e njëjta hapësirë familjare dhe i njëjti fund i pakthyeshëm që vjen pas një historie të gjatë dhune të pashprehur.
Pas aktit, ajo nuk largohet, por dërgon fëmijët tek të afërmit dhe paraqitet vetë në Komisariatin e Vaut të Dejës për të rrëfyer krimin. Aty arrestohet dhe më pas dënohet me 16 vite burg për vrasjen e bashkëshortit.
“Nga eksperienca kam konstatuar që gratë janë më bashkëpunuese, pra përpara organit të prokurorisë e tregojnë faktin ashtu siç është, pra nuk mundohen që ta fshehin apo të manipulojnë procesin hetimor apo penal, në përgjithësi janë më bashkëpunuese në krahasim me burrat,” u shpreh avokati Dritan Jahja.
Një vit pas ngjarjes, brenda qelisë, historia merr një tjetër kthesë të heshtur dhe të rëndë. Mirela Buzalli tenton t’i japë fund jetës duke konsumuar një sasi të konsiderueshme klori, një akt i dëshpëruar që e çon menjëherë në spital. Aty dëshmon se përballja me krimin nuk mbaron me dënimin, por vazhdon brenda, në një luftë të përditshme me veten.
Si në rastin e Dranes, edhe këtu rikthehet i njëjti element që i bashkon këto histori: dhuna e padenoncuar dhe heshtja që zgjat deri në momentin kur gjithçka shpërthen.
Mes bashkëshortëve ka pasur në vijimësi grindje, të cilat kanë qenë prezente edhe në mbrëmjen e datës 17.07.2016, kur viktima është kthyer në shtëpi në orë të vona. Konflikti i tyre ka vijuar me ofendime e për rrjedhojë bashkëshortët kanë fjetur atë natë në dhoma të ndryshme; viktima Shkëlzen ka fjetur në dhomën e djalit të madh, ndërsa e dyshuara Mirela në një dhomë tjetër me të bijën.
Sipas informacioneve nga burgu i Pojskës, edhe Mirela Buzalli ka shkruar një letër ku shpreh pendesë dhe kërkon të përfshihet në amnisti. Fatkeqsisht, pavarësisht kërkimeve të Inside Story, ajo letër nuk mbërriti në redaksinë tonë, duke mbetur një zë i pashprehur, por që ndjek të njëjtin ton me atë të Dranes… pranimin e fajit, peshën e viteve dhe dëshirën për t’u kthyer pranë fëmijëve.
Dy histori që nuk njihen mes tyre, por që bashkohen në të njëjtën vijë: nga dhuna e heshtur brenda familjes, tek krimi dhe më pas tek pendesa, si një përpjekje për të kërkuar falje për atë që ndodhi…
