Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Një person është gjetur pa shenja jete në një prej kullave të vrojtimit në zonën e njohur si Plazhi i Vjetër.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se viktima ka kryer vetëvarje, ndërsa ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit. Kanë qenë kalimtarë të rastësishëm ata që kanë konstatuar trupin dhe kanë njoftuar menjëherë autoritetet.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
Deri më tani nuk bëhet i ditur identiteti i viktimës, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të japë detaje më të sakta mbi shkakun e vdekjes.
Autoritetet po punojnë për të hedhur dritë mbi këtë rast, ndërsa paraprakisht nuk përjashtohet asnjë pistë hetimi.
