Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka shkuar te pallati i djegur i kompleksit ‘Arlis’ te Farmacia 10 në kryeqytet.
Gjatë takimit me banorët e dëmtuar nga djegia e pallatit, Koçiu ka siguruar banorët se do të marrin bonus qiraje dhe do të përkrahen derisa pallati të rikthehet si më parë.
“Do të marrim masat për një bonus qiraje që të akomodohen banorët. Po kryhen hetime për të nxjerrë kush është shkaku. Duhet të presim të shohim nëse ka përgjegjësi sociale. Do të jemi krah jush derisa të kthehet pallati në gjendjen e mëparshme”, është shprehur zv/kryeministrja.
Megjithatë, ajo ka refuzuar të japë afate për mbylljen e punimeve dhe ka theksuar se s’ka neglizhencë nga ana e institucioneve.
“Nuk jap dot afate për mbylljen e punimeve, pasi ende nuk është mbyllur hetimi. Askush nuk po neglizhon, po përpiqemi që gjëja të zgjidhet sa më shpejt. Duhet të kuptojmë shkakun nga se ka ardhur zjarri, se mund të ketë edhe përgjegjës”, thotë Koçiu.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, thotë se po punohet që brenda një muaji të merret leja për të nisur punimet.
“Do të vijë një grup arkitektësh, por më parë duhet të mbyllet inventari”, është shprehur ajo. Ndërsa administratorja e kompleksit ka thënë se “Ne jemi të gatshëm për të mbuluar dëmet, dhe për të rindërtuar”.
