Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të biznesmenit korçar, Geni Braholli.
Peleshi shpreh trishtimin për humbjen e Brahollit, teksa e përshkruan atë si një njeri të mirë që dinte të qëndronte pranë njerëzve dhe të linte gjurmë pozitive te të tjerët.
“Ka disa humbje që i ndjen edhe kur nuk i ke pranë. Humbja e Genit ishte nga ato që të bëjnë të mbash frymën, të trishtohesh dhe të ringresh pyetjet e mëdha që lidhen me jetën, me arsyen dhe mosarsyen, me rendin e gjërave, me kohën, me njeriun. Në ato momente, ka diçka hyjnore që ulet mes nesh dhe që na bën të mendojmë më tepër për të mirën dhe të përbashkëtën tonë, përballë vdekjes që gjithmonë harrojmë sa pranë e kemi. Për ato pak çaste të gjithë bëhen më të mirë. Por ka disa njerëz të veçantë, si Geni, që zgjedhin të jenë të mirë gjithë kohës — jo prej frikës, por prej dashurisë për njeriun. Lamtumirë, Geni”, shkruan Peleshi.
Kujtojmë se biznesmeni korçar Geni Braholli u nda nga jeta një ditë më parë, pasi pësoi një arrest kardiak. U tha se Braholli ishte në gjumë kur zemra u tregua “tradhtare” dhe i pushoi përgjithmonë.
Geni Braholli ishte pronari i furrës së bukës “Cegora” mjaft të njohur për korçarët, ndërsa ikja e tij në moshë të re ,vetem 43-vjeç ka lënë pas një plagë të madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë njerëzit që e njihnin atë.
