Shpimet e kryera nga një sondë e një firme private për një studim gjeologjik të tokës në zonën e Akërnisë, pranë hidrovori në Vlorë, kanë zbuluar prani të gazit natyror.
Duke shpuar tokën 70 metra është konstatuar gazi i cili ka dalë nga nëntoka dhe menjëherë është vebdosur një tabelë paralajmëruese për banorët e zonës, duke rrethuar perimetrin e sigurisë.
Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar nëse bëhet fjalë për praninë e gazit natyror, për një fenomen të përkohshëm nëntokësor apo për rezultate të lidhura me studime të tjera teknike në zonë.
Gjithashtu, nuk dihet ende se për çfarë investimi po kryheshin studimet gjeologjike të zonës.
Kjo zonë ndodhet jo më larg se 1 km nga aeroporti i Vlorës, që synohet të hapet së shpejti.
