Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej më shumë se 14 muajsh në paraburgim, do t’i nënshtrohet një ekzaminimi të specializuar kardiak këtë të mërkurë, duke ngritur pikëpyetje nëse kjo është një strategji e re për të siguruar lirimin e tij.
Ky zhvillim vjen pasi ankimimet e tij ligjore për lirim u rrëzuan në mënyrë të njëpasnjëshme nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese.“Ora News”, mëson se pas një tentative të mëparshme të dështuar për të përdorur një kolonoskopi për qëllime të ngjashme, tashmë vëmendja është zhvendosur te një problem i mundshëm kardiak.
Transferimi në spitalin privat “Salus” për një koronarografi po shihet si një taktikë e mundshme për të siguruar një raport mjekësor që mund të çojë në zbutjen e masës së sigurisë.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë konfirmuar se Veliaj do të shoqërohet në spitalin “Salus” të mërkurën, më 6 maj. Gjithashtu, burime spitalore konfirmuan takimin për një koronarografi me specialistin italian, profesorin Zingaretti. Të dyja institucionet e kanë pranuar zyrtarisht vizitën e planifikuar.Tashmë, situata varet nga rezultati i ekzaminimit mjekësor. Mbetet për t’u parë nëse kryebashkiaku i Tiranës ka një problem real shëndetësor apo nëse ky kontroll do të përdoret si një mjet për të ndryshuar statusin e tij të paraburgimit. Përgjigja do të përcaktojë hapat e ardhshëm në këtë çështje të profilit të lartë.
