Ja vdekje, ja liri”, me këto fjalë e ka përmbyllur ish-kryeministri Sali Berisha protestën e tetë të opozitës, e cila, ndonëse ishte paralajmëruar si paqësore, u shoqërua me tensione, hedhje molotovësh dhe përplasje me Policinë.
Nga shkallët e selisë blu, ashtu siç është bërë tashmë traditë për liderin e demokratëve, Berisha deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet dhe se beteja për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës do të vijojë.
Në fjalën e tij para mbështetësve, ai falënderoi qytetarët që morën pjesë në protestë pavarësisht motit të keq dhe tensioneve, ndërsa akuzoi qeverinë për bllokimin e marshimit të opozitës.
“Ne jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve: ‘Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri’. Asgjë në botë nuk do të mund të na imponojë të pranojmë pushtetin e hajdutëve dhe kriminelëve”, deklaroi Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike e cilësoi protestën si një “kryengritje kundër regjimit”, ndërsa shtoi se opozita do të vazhdojë aksionin e saj deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Berisha hodhi poshtë edhe pretendimet se opozita ishte vendosur në kurth nga forcat e policisë gjatë protestës. Sipas tij, organizatorët kishin informacion paraprak për bllokimin e rrugëve dhe kishin alternativa të tjera lëvizjeje.
“Në asnjë kurth nuk ramë. Ne shkuam vetë drejt rrethimit. Strategjia jonë është paqësore, por është strategjia e njerëzve të pamposhtur”, u shpreh ai.
