Rrugët e Tiranës dhe rrjetet sociale kanë zier ditët e fundit nga protestat dhe reagimet e shumta në mbrojtje të zonës së Zvërnecit.
Shkak është bërë projekti për ndërtimin e një resorti luksoz miliarda dollarësh nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, ku përfshihet Ivanka Trump dhe partneri i saj Jared Kushner.
Një pjesë e madhe e opinionit publik dhe aktivistëve kanë dalë kundër këtij investimi, duke ngritur alarmin për prishjen e ekosistemit dhe habitatit të kafshëve të rralla në Shqipëri
Në këtë situatë, qytetarët kanë kërkuar vazhdimisht që personazhet publike me shumë ndjekës të ngrenë zërin për të sensibilizuar masën.
Ndërsa disa “VIP-a” i janë bashkuar kauzës, shumë të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë indiferentë.
Ndër emrat që janë sulmuar dhe kryqëzuar më së shumti në profilet e tyre zyrtare në Instagram janë Romeo Veshaj, Donald Veshaj dhe Bora Zemani.
Ndjekësit e kanë cilësuar të pafalshme heshtjen e tyre, duke qenë se të tre janë nga Vlora dhe në daljet e tyre televizive kanë treguar gjithmonë me madhështi patriotizmin dhe krenarinë për origjinën. Rrjeti ka shpërthyer në akuza të rënda në dritaren e komenteve të postimeve të tyre.
Në profilin e Romeo Veshaj, komentuesit kanë shkruar: “PSE NUK FLISNI PER VLOREN?” dhe “Palo burra jeni dhe Vlonjat ju… po ku i keni reagimet per Zvernecin?”.
Akuzat kanë vijuar edhe më tej, duke i quajtur të shitur që nuk reagojnë dot për qytetin ku kanë lindur:
“Sa keq kur shitesh, nuk reagon dot per qytetin ku te lindi koka! TURP!” dhe “You are Sold! Doni m’ju ndjek pastaj, ja ku e keni mundesine! Po ndodh n’Vlore, vendlindjen tuaj! Djem t’dobet!”.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe në profilin e moderatores Bora Zemani, ku qytetarët i kujtojnë se po preken tokat e të parëve, ndërsa ajo vijon postimet normale:
“Asgje per ngjarjen e djeshmee turppppppp”, “Sa mire ti marrin tokat e eterve dhe te vazhdosh sikur sndodh gje bravaa” dhe “pse sflet per zvernecin?”.
Kritikat ndaj moderatores janë ashpërsuar edhe më shumë në komente të tjera ku ironizohet figura e saj si vlonjate:
“Ti Vlonjatja patriotja e madhe pse nuk reagove per Zvernecin?”.
Deri më tani, asnjë prej tre personazheve nuk ka bërë asnjë reagim publik apo sqarim në rrjetet sociale lidhur med këto reagime të shumta të ndjekësve të tyre.





